Projekti i kampusit të ri të Universitetit Metropolitan Tirana është finalizuar dhe së shpejti do të nisë implementimi për të pritur në mjediset moderne, prej më shumë se 20,000 metër katrorë, studentët, pedagogët, kërkuesit shkencorë e më gjërë duke u shndërruar në një pikë referimi për arsimin e lartë në Shqipëri. Kampusi përbëhet nga dy godina, ku njëra do t'i përkasë UMT-së dhe godina e dytë do t'i kushtohet Metropolitan Incubator. 

I realizuar nga studio prestigjioze “GRIMSHAW / INFRAPLAN” me frymën e një laboratori të madh inxhinierik, projekti i kampusit të ri plotëson të gjitha nevojat e universitetit, i cili në objektivat e dhjetëvjeçarit të tij të dytë përveç ndërkombëtarizimit, ofrimit të masterave të përbashkët me universitetin Universitetin ESIEE Paris në fushën e inteligjencës artificiale apo krijimit të Institutit Francez të Teknologjisë, synon edhe zgjerimin infrastrukturor.

Kampusi i ri do të ketë një ndërtesë të re gjashtëkatëshe dhe dy kate nëntokësore për Fakultetin e Inxhinierisë dhe Arkitekturës, Fakultetin e Shkencave Kompjuterike&IT dhe Fakultetin e Ekonomisë.

Në këto mjedise përveç laboratorëve, klasave dhe sallave të leksioneve, përfshihet edhe një sallë konferencash, një hapësirë e madhe për ekspozitat, bibliotekë, palestër, zyrat administrative të universitetit dhe një kafene e brendshme, pa harruar hapësirat nëntokësore për parkim.

Arkitektët projektues shpjegojnë se secili prej fakulteteve do të shfrytëzojë një kat të plotë. Qarkullimi trajtohet si një zonë shoqërore ku studentët mund të mblidhen dhe ta përdorin atë si një hapësirë informale pune. Shumëllojshmëria e këtij ambienti jepet nga vendndodhja e këtij korridori 3.6 metër që zhvendoset përgjatë atriumit në një kat dhe kopshtit dimëror pë perimetrin e ndërtesës.

Avantazhet e këtij projektit qëndrojnë në ndriçim natyror nga atriumi kryesor qendror. Në katin e fundit ka një kopsht-çati të lidhur vizualisht me kontekstin e gjelbër përreth zonës.

Pjesë e projektit të kampusit të ri universitar është edhe një ndërtesë e posaçme për Metropolitan Incubator, me hapësirë rreth 1850 metër katrorë. Si inkubatori i parë brenda një universitetit dhe tashmë prej më shumë se gjashtë vitesh një aktor i rëndësishëm i ekosistemit të inovacionit dhe startup-eve, Metropolitan Incubator do të ofrojë edhe mjediset e tij për studentët dhe të rinjtë. Gjithashtu do të shërbejë si një qendër e kërkimit shkencor dhe ndërlidhje me institucione të tjera të ekosistemit.

Projekti është frymëzuar nga kampuset më prestigjioze universitare sot në botë me qëllimin për të ofruar një hapësirë moderne dhe unike në Shqipëri.