Programi “Masteri Shkencor në Inxhinierinë e Ndërtimit” në Universitetin Metropolitan Tirana, mbush tetë vjet jetë që kur ka filluar të zhvillohet. Ky program i licensuar me vlerësimin maksimal ka përshkruar një rrugë suksesi me të dy profilet e tij: Inxhinier Strukturist dhe Inxhinier Infrastrukture Transporti.

Pas tetë viteve lindi nevoja që ky program të rinovohej dhe të modernizohej. Departamenti i Inxhinierisë së Ndërtimit së bashku me bashkëpunëtorët e konsulentët shkencor punoj dhe përgatiti një program cilësisht më të përparuar.

Kështu viti akademik 2022-2023 do të filloj me një program të rinovuar.

Arsyeja e rinovimit lidhet me zhvillimin e vrullshëm të fushës së ndërtimeve në vendin tonë dhe në botë, me kërkesat në rritje të teknologjisë së ndërtimit, me një përafrim më të  madh me programet  e universiteteve simotra europiane.  Shënojmë se studentë të shumtë që kanë studiuar në këto programe kanë shënuar suksese në karrierën e tyre inxhinierike brenda vendit dhe jashtë vendit ose kanë  vazhduar me programet postmaster dhe specializime nëpër botë.

Programi i rinovuar është i një niveli më të lartë shkencor dhe professional, me përfshirje më të gjerë të teknikës kompjuterike dhe në përputhje me normat europiane të ndërtimit. Inxhinierët e diplomuar në këtë program do të mund të zgjidhin plotësisht kërkesat e fushës së ndërtimit si brenda ashtu dhe jashtë vendit.