Dhjetë vite në sektorin e arsimit të lartë e kanë kthyer Universitetin Metropolitan Tirana në një pol të rëndësishëm të shkencave inxhinierike, kompjuterike dhe atyre ekonomike.

I konsoliduar në tre fakultete dhe aktiv në bashkëpunime e projekte ndërkombëtare siç janë “Eu for Innovation”, “Erasmus”, “Horizon2020”, Agjencia Universitare e Frankofonisë apo pjesë e rëndësishme e krijimit të inkubatorit të parë ndër-universitar “Tirana Inc”, UMT ka arritur të bëjë realitet atë që të rinjtë presin nga një universitet: jo vetëm njohuri teorike, por mbi të gjitha praktikë dhe zhvillim të aftësive ndërdisiplinore.

Rektori i Universitetit Metropolitan Tirana, Prof. Dr. Gëzim Karapici konfirmon se nismat e UMT për të qenë një universitet i profilizuar që ka si kryefjalë të tij sigurimin e standardeve maksimale, janë mirëpritur nga studentët që dëshirojnë një karrierë të suksesshme profesionale.

“Dhjetë vite pas themelimit, UMT vijon t’i mbetet besnik misionit të tij për të formuar inxhinierë, arkitekte dhe ekonomistë të nivelit të lartë për tregun shqiptar dhe jo vetëm. Përgjatë këtyre viteve kemi arritur të ndërtojmë një sistem meritokracie për të mbështetur më të mirët përmes bursave të ekselencës, dhe paralelisht të vendosim kritere të qarta për studentët që dëshirojnë të studiojnë pranë institucionit tonë. Për shembull, nga ky vit përveç studentëve që do të dëshirojnë të studiojnë në programet bachelor, edhe studentët në master duhet të përmbushin kriterin e notës mesatare. Kemi bashkëpunime të vazhdueshme me pedagogë të huaj nga Greqia, Turqia, Anglia, Italia e Norvegjia dhe së fundi projekti më ambicioz akademik është krijimi brenda UMT-së i Institutit Francez të Teknologjisë, që do të ofrojë diploma të dyfishta master në inteligjencë artificiale në bashkëpunim me universitetet franceze. Ndërkombëtarizimi do të jetë objektivi kryesor i dekadës së dytë të UMT-së”, shprehet Prof. Dr. Gëzim Karapici.

Duke ndjekur modelin e universiteteve simotra në Europë dhe në SHBA, Universiteti Metropolitan Tirana përmes Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës, Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT dhe Fakultetit të Ekonomisë ofron 24 programe studimi në nivelet bachelor, master dhe programe profesionale 2-vjeçare. Gjithashtu strukturat dhe qendrat partnere si Metropolitan Incubator, Metropolitan Innovation Center apo Metroresearch janë mbështetëse për studentët dhe për stafin akademik, si për të mbështetur dhe implementuar idetë e biznesit që vijnë nga të rinjtë ashtu edhe për të ofruar infrastrukturën dhe kapacitetet e plota për kërkim shkencor për stafin akademik.

Studentët e diplomuar përgjatë viteve në UMT jo vetëm që kanë një normë të lartë punësimi mbi 70% brenda gjashtë muajve të parë të përfundimit të studimeve në profilin e tyre, por punësohen ose vazhdojnë një cikël tjetër studimi në vendet e Bashkimit Europian si Gjermani, Angli, Itali e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në aktivitetet që kemi organizuar me studentët Alumni, kemi përjetuar emocione të veçanta kur kemi dëgjuar për sukseset e tyre brenda dhe jashtë vendit. Nuk është vetëm dëshmi e punës së përditshme dhe të vazhdueshme që bëhet në universitet, e sigurimit të akreditimit insitucional dhe akreditimeve periodike në nivel programesh, por mbi të gjitha edhe e rrënjosjes së vullnetit dhe pasionit për shkencën te studentët”, shton Rektori i UMT, profesor Karapici. 

Përshtatja ndaj kushteve të reja të diktuara nga pandemia ishte e shpejtë, duke siguruar një ecuri të mirë të procesit akademik. Profesor Karapici jep siguri jo vetëm për sigurimin infrastrukturës së duhur për zhvillimin e mësimit vitin e ardhshëm akademik, por thotë se pandemia ka nxitur edhe një plan strategjik për Universitetin Metropolitan. "Për të pasur një arsimim të mirë duhet të ndërthurim edukimin në distancë me atë tradicional ballë për ballë. Si një Universitet teknik, nuk mund të injorojmë domosdoshmërinë e pjesës praktike të trajnimit në terma të seminareve dhe laboratorëve, të cilat duhet të realizohen kryesisht në formën e tyre klasike, d.m.th. ballë për ballë. Gjithçka mund të ndryshojë pas COVID-19. Në të ardhmen, UMT do të marrë masa që edukimi në distancë të jetë pjesë e rëndësishme e formimit, e kombinuar me atë tradicional në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri institucionale dhe vazhdimësi akademike. Si pasojë, menaxhimi i mësimit në distancë duhet të integrohet në strukturat dhe proceset ekzistuese tradicionale të mësimdhënies", thotë ndër të tjera ai. 

Edhe këtë vit akademik
, UMT vjen me politikën e bursave për të mbështetur më të mirët, ashtu edhe me suportin nga ana logjistike për studentët duke i pajisur në fillim të vitit akademik me Çantën e Studentit, që përfshin laptop të dedikuar për programin e studimit, rregullore, akses në sistem dhe në web-mail etj. Pa harruar infrastrukturën me 11 laboratorët e dedikuar për orët praktike dhe partneritetet me universitetet Europiane në kuadër të programit “Erasmus+” ku studentët mund të kryejnë deri në dy semestra akdemikë në Itali, Poloni, Çeki, Spanjë, Bullgari, Rumani, Letoni etj.