Intervistë me studentin e Arkitekturës në Universitetin Metropolitan Tirana, Bunjamin Rexhepi.

1-Bunjamin, ju keni projektuar një banesë rezidenciale shumë-familjare (kolektive) në Rr. Riza Cerova, cili ishte frymëzimi, për këtë projekt? Mund të bëni një përshkrim të shkurtër të projektit.
Frymëzimin deri diku e lidh edhe me kërkesën në zonë ku duhej një objekt banimi kolektiv. Gjithashtu do të doja të krijoja edhe një shembull për objektet që do të ndërtohen rreth e qark në të ardhmen.


Projekti në vetëvete perfshin: oborrin-kopsht gjysmë publik, zonën tregtare dhe në këte projekt kam lënë edhe enkas dy ambiente që janë për banoret që do të jetojnë në atë objekt por gjithashtu edhe në funksion të banorëve të komunitetit të lagjes. Këto tre elemente janë të perfshira në katin përdhe dhe nga kati i parë deri në katin e gjashtë janë apartamente. Gjithashtu, kemi katin nën tokë që përfshin pjesën e parkimeve bashkë me ambientet teknike që i nevojiten një objekti shumë-familjar. ( Foto 2, 3 & 3.1 )
Në rendera dallojmë edhe trajtimin e fasadës që nga koncepti kryesor nuk ka pësuar ndryshime  dhe është një fasade e lirshme pa shkallëzime. 


2-Cilat janë limitet në projektimin e banesave kolektive?
Projektimi i një banese kolektive  në vetëvete është nje zgjidhje komplekse, arsyet janë nga më të shumtat duke filluar që nga kushtet urbane, zgjidhja e pozicionimit sa me te favorshem të kafazit të shkallës dhe ashensorit duke pasur parasysh që hyrjet e apartamenteve mos të jenë shumë larg  për çfarëdo lloj rreziku të mundëshem (mundësi më e lehte për evakuim në raste tërmeti, zjarri apo diçka tjeter). Një vështirësi tjetër është edhe kompozimi i planimetrive të apartamenteve, që në rastin më të mirë duhet të kemi një ndarje të qartë midis zones së natës nga ajo e ditës, gjithashtu duhet të kemi parasysh që një apartament duhet të ketë minimum 2 orë në ditë ndriçim nga rrezet e drejtperdrejta të diellit ose reflektim nga kupa e qiellit. Në rastin konkret një veshtirësi tjetër është edhe kompozimi i planimetrive të apartamenteve në cepat e brendshëm të formës “L”

3-Nga ndryshon projektimi i një objekti në zonat qëndrore historike me ato të periferive?
Ndryshimet në fakt janë thelbësore sepse në një zonë periferike ka më shumë hapësirë duke filluar që nga sheshi i ndërtimit që mundet të jenë sheshe me siperfaqe të madhe, forma e objekti, kushtet urbane etj, ndersa në një zonë qëndrore historike disa mundësi i kemi të kufizuara, psh. forma e objektit duhet të shkojë përshtat zonës perreth, materialet që do perdoren duhet të jenë të njëjta ose të përshtaten me materialet e zones. Në disa raste në fakt edhe një kontrast shumë i fortë mund të jetë një shprehje poetike e cila shkon më një zonë historike.

4-Cila është rendësia e vizualizimit të mirë grafik të projektit dhe sa ndikojnë teknika dixhitale në projektim?
Vizualizimi dixhital në ditët e sotme ka avancuar aq shumë sa që nuk mund të dallosh një foto nga jeta reale me një render (3D Max, Lumion, etj). Kjo ndihmë që na vjen nga këto programe që shërbejnë për të vizualizuar projektet është shumë e vlefshme sepse akoma pa u venë objekti në vepër neve mund të dimë se si do duket i perfunduar deri në detajet më të vogla. Disa nga programet mund të bejnë edhe rendera 360° dhe me ndihmen e syzeve VR (Virtual Reality) neve mund të shohim (prekim) interierin e apartamentit ose eksterierin e një objekti .


Diçka që vlen të theksohet sa i përket  ndihmës së teknologjisë në projektim është se ne si studentë  (arkitektë të së ardhmes) duhet të kuptojmë se çfarë është hapësira, dhe rëndësinë e saj. Gjithshka fillon si vijat e para hidhen në një letër të bardhë (koncepti, planimetrite fillestare etj) Kjo na ndihmon edhe neve si studentë që disa nga përmasat bazike t'i mësojmë përmendësh me kalimin e kohës, psh: gjerësia e derës, dritares etj.

5-Cili është arkitekti juaj i preferuar dhe nëse mund të bëni një përshkrim të shkurtër të arsyeve rreth të cilave ju frymëzon puna e tij.
Arkitekti im i preferuar është një nga ikonat e arkitekturës moderniste te shekullit XX, Le Corbusier. Ka shumë arsye që Le Corbusier është arkitekti im i preferuar, por ajo më e rendësishmja është që arkitekti beri një urdhëtim në lindje e perëndim, duke skicuar objektet e rendësihme historike, duke i prekur e studiuar ato dhe projektoi në formë orgjinale por duke ruajtur disa principe universale si proporcionet dhe modulin.  Gjithashtu ky arkitekt në çdo projekt të tijin ka 5 pikat : ngritja e objektit mbi kolona, plan i lirë në katet përdhe, fasada të lira, dritare horizontale dhe tarraca të gjelbëruara (këto pesë pika i gjejmë të theksuara shumë mirë në Villa Savoye  1929 – 1931)