Nga Ursula von der Leyen/ Duke kombinuar artin dhe prakticitetin, nismat pararendëse e të zgjuara të Bauhaus ndikuan konkretisht në tranzicionin shoqëror dhe ekonomik në shoqërinë industriale të shekullit XX.

Një shekull më vonë po përballemi me sfida të reja globale: ndryshimet klimatike, ndotja, dixhitalizimi dhe një shpërthim demografik që pritet të rrisë popullsinë e botës në 10 miliardë deri në mes të shekullit. Këto zhvillime shkojnë krah për krah me rritjen ekonomike, në dukje të pakufishme, në kurriz të mirëqenies sonë, planetit dhe burimeve tona të kufizuara natyrore.

Ndërtesat dhe infrastrukturat janë përgjegjëse për të paktën 40% të të gjitha emetimeve të gazeve serë. Ndërtesat moderne përdorin në një shkallë të gjerë material si çimentoja dhe çeliku, prodhimi i të cilave kërkon sasi të mëdha energjie që çlirojnë drejtpërdrejtë dioksid karboni përmes reaksioneve kimike. Të gjitha shenjat na çojnë në të njëjtin drejtim: duhet të rimendojmë dhe të riprogramojmë. Në këtë proces, Europa mund dhe duhet të luajë një rol udhëheqës. Kjo është arsyeja pse në qendër të veprimeve tona  kemi vendosur Marrëveshjen e Gjelbër Europiane. Ne duhet të jemi kontinenti i parë me impakt klimatik zero në vitin 2050. Kjo do të kërkojë më shumë sesa thjesht uljen e emetimeve. Kemi nevojë për një model ekonomik që i kthen planetit atë që i heq, bazuar në një ekonomi qarkore të mundësuar nga energjia e rinovueshme.

Por ky projekt duhet të shkojë përtej aspekteve të pastra ambientale dhe ekonomike. Duhet të bëjmë të mundur që Marrëveshja e Gjelbër Europiane  të përfaqësojë mbi të gjitha një projekt të ri kulturor për Europën. Çdo lëvizje ka estetikën dhe stilin e saj. Ndryshimi sistemik që na pret duhet të karakterizohet nga një formë e veçantë estetike, e cila bashkon stilin dhe qëndrueshmërinë. Kjo është arsyeja pse ne synojmë të fillojmë një lëvizje të re Europiane Bauhaus, një platformë bashkëpunuese të dizajnit dhe të krijimtarisë, ku arkitektët, artistët, studentët, shkencëtarët, inxhinierët, projektuesit dhe kushdo që dëshiron të kontribuojë mund të realizojë këtë vizion. Bauhaus-i i ri Europian do të jetë forca lëvizëse për të karakterizuar Marrëveshjen e Gjelbër Europiane në një mënyrë inovative dhe antropocentrike, duke e bërë më tërheqëse.

Do të jetë një lëvizje që do të bazohet në qëndrueshmëri, gjithëpërfshirje dhe estetikë, duke synuar sjelljen e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane më pranë qytetarëve, si edhe vendosjen e riciklimit, energjisë së rinovueshme dhe biodiversitetit në qendër të jetës së përditshme. Ne të gjithë duhet të jemi në gjendje ta perceptojmë, ta shohim dhe ta përjetojmë Marrëveshjen e Gjelbër Europiane falë një industrie ndërtimi që përdor materiale natyrore të tilla si druri ose bambuja, një arkitekture që miraton forma dhe zbaton parime ndërtimi që i afrohen natyrës, duke i marrë në konsideratë ekosistemet që në fillim, duke bërë të mundur qëndrueshmërinë, ripërdorimin dhe planifikimin.

Bauhaus-i i ri Europian duhet gjithashtu të përfitojë nga trendi tjetër madhor revolucionar i shekullit tonë: dixhitalizimi, i cili po ndryshon gjithnjë e më shumë mënyrën tonë të të menduarit dhe të vepruarit. Në të ardhmen, shtëpitë, vendbanimet dhe qytetet do të funksionojnë më mirë falë “binjakut të tyre dixhital”. Simulimet kompjuterike do të bëjnë të mundur përmirësimin e zgjedhjeve të dizajnit për sa i përket efikasitetit të burimeve, ripërdorimit ose ndikimit në mjedis dhe klimën lokale. Qëllimi është të krijojmë qytete më të jetueshme me ndikim zero në klimë.

Ashtu si lëvizja historike e Bauhaus-it që u përhap në të gjithë botën duke nisur nga Vajmari, Bauhaus-i i ri europian është konceptuar për të qenë më shumë se sa një shkollë e thjeshtë arkitekture që përdor teknologji dhe teknika të reja. Shpërthimi inovativ i Bauhaus-it në të vërtetë nuk do të ishte imagjinuar pa ndërtimin e urës drejt botës së artit dhe kulturës, ose drejt sfidave shoqërore të kohës. Bauhaus-i i parë provoi se industria dhe përsosmëria e projektimit mund të përmirësojnë jetën e përditshme të miliona njerëzve. Bauhaus-i i ri Europian duhet të shkaktojë një dinamikë të ngjashme. Shpresa është që ajo të nisë si një lëvizje krijuese dhe ndër-disiplinore që zhvillon standarde estetike dhe funksionale, në përputhje me teknologjitë kryesore, mjedisin dhe klimën. Nëse ne kemi sukses në kombinimin e qëndrueshmërisë me një dizajn të shkëlqyer, Marrëveshja e Gjelbër Europiane do të marrë një nxitje të jashtëzakonshme, madje edhe përtej kufijve tanë. Qëllimi është që kjo lëvizje të stimulojë debatin mbi metodat e reja të ndërtimit dhe modulet e reja të projektimit.

Bauhaus-i i ri Europian
duhet të eksperimentojë dhe të japë përgjigje praktike për pyetjen madhore sociale të së ardhmes: si mund ta imagjinojmë ne europianët një jetë moderne në harmoni me natyrën? Përgjigja varet nga ne, që të mund ta bëjmë shekullin tonë XXI më të bukur dhe më njerëzor.

*Ursula von der Leyen është politikane gjermane dhe aktualisht Presidente e Komisionit Europian. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.