Mund të përjetoni një eksperiencë artistike përpara një pikture të Rembrandtit, ose përpara një punimi në dizajn grafik. Kjo shprehje e Stefan Sagmeister, ndër dizenjuesit më të njohur në industrinë e muzikës, vlen pikërisht për zhvillimin që ky drejtim po merr vitet e fundit, si kërkesë e shtuar edhe nga tregu i punës dhe zgjerimi i sektorit.

Programi profesional 2-vjeçar në Dizajn Grafik që ofrohet në UMT është themeluar nisur nga këto nevoja dhe ka diplomuar brezat e parë të studentëve, të pajisur me njohuritë teorike në lidhje me artet e bukura, arkitekturën, teatrin, kinematografinë, shkencat ekzakte si edhe me njohuritë teknike aplikative në programet e veçanta. Studentët që kanë përmbyllur ciklin e tyre të studimeve në harkun e viteve 2018-2020 kanë zhvilluar edhe temat e tyre të diplomës, të cilat janë punime praktike.

Punimi i parë i studentit Kleard Qano është realizuar nën udhëheqjen e pedagogut Ermal Bezhani. Ai ka realizuar një manual identiteti për të informuar dhe ndihmuar Illyrian Guard në zbatimin e saktë të identitetit të ri, për të krijuar ndërgjegjësim për markën.

Ndërkohë, studenti Ervin Cani i udhëhequr nga pedagogu Bashkim Zahaj ka realizuar një guidë për kompaninë Vitamin Healthcare, në zbatimin e saktë të identitetit. Qëllimi i këtij manuali është që të dallohen atributet e Vitamin Healthcare, por duke lejuar edhe improvizimin dhe kreativitetin.


Tema e diplomës së studentit “Xheneto Hajdini” lidhej me ilustrimet e botimeve letrare, duke punuar kopertinat e tre librave: “Sapiens” nga Yuval Noah Harari, “Ishulli misterioz” nga Jules Verne dhe “Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes” nga J.K.Rowling.

Zhaklina Hadaj ka realizuar një libër të ilustruar me poezi, me ilustrime grafike dhe tipografike. E udhëhequr në punën e saj nga pedagogia Gureta Bajrami-Breznica, disa prej poezive i ka ilustruar me shkrime kaligrafike, ndërsa me anë të tipografisë ka përdorur stile të ndryshme të shkronjave duke krijuar kompozime dekorative.

Aldo Tanku ka zgjedhur të ripunojë posterat e filmave të viteve ’80 duke i shndërruar në versionin e ditëve të sotme. “Detyra e një posteri filmik nuk është e lehtë: të bindësh një gamë të gjerë njerëzish për të investuar kohën, vëmendjen dhe paratë e tyre në një film dy-orësh brenda kufijve të një hapësire të vogël”, përshkruan ai punën e tij.

Ndërkohë, Petër Xharo ka ripunuar disa nga fotografitë e dëmtuara familjare. Përmes programit Photoshop që ka studiuar gjatë dy viteve në Dizajn Grafik, ka arritur të riparojë dëmtimet e fotove por edhe t’i kthejë me ngjyra. “Me zhvillimin e teknologjisë ne kemi mundësi të ndërhyjmë në shumë parregullsi të fotove të vjetra, por gjithmonë duke ruajtur origjinalitetin, dhe në këtë punim diplome solla tri forma të fotografive famljare. Formën origjinale të fotografisë, variantin e përpunuar e për disa foto edhe foton e përfunduar me ngjyra. Kisha dëshirë të shikoja se si do dukeshin ato foto në ditët e sotme, në epokën e dixhitalizimit”, shpjegon ai.

Përmbledhja e plotë e punimeve të studentëve mund të shihet duke klikuar këtu.

Programin e studimit në Dizajn Grafik mund ta ndjekin të gjithë ata që duan të zhvillojnë aftësitë e tyre në komunikimin vizual përmes përdorimit të programeve profesionale dixhitale. Në këtë program gërshetohen dijet teorike me ato praktike, ku studentët aftësohen në grafikën kompjuterike, teknikat e modelimit dixhital, dizenjimin e faqeve online etj.