Në jetën e përditshme, kur hyjmë në shtëpi mbyllim dyert dhe dritaret, nuk lejomë që të futen njerëz të panjohur brenda ose nuk japim të dhëna njerëzve që nuk ju besojmë. Por, në botën virtuale u lejojmë rrjeteve sociale të kenë qasje në privatësinë tonë. Nga shtëpitë tona kemi hapur dritaret digjitale përmes telefonave dhe laptopëve. Përmes këtyre dritareve digjitale që kemi hapur për botën, nuk kemi njohuri se si po na merren të dhënat dhe nga kush po vëzhgohemi. Ndërkaq, kompanitë e ndryshme na njohin ne ndoshta edhe më mire sesa e njohim ne veten. Shumica e platformave dhe aplikacioneve ofrojnë shërbimet e tyre falas. A e keni pyetur veten se pse Google, Facebook, Instagram, WhatsApp apo Twitter ofrojnë shërbimet e tyre falas? Bazuar në thënien e njohur se “nëse një produkti nuk i paguani çmimin, atëherë produkti jeni vet ju”. Prandaj, në momentin që shkelim në botën digjitale, çdo lëvizje dhe hap do shndërrohet në produkt dhe përfitim për kompani të ndryshme.

Shkelja e privatësisë dhe sigurisë digjitale është një çështje që diskutohet ndër vite. Por me rastin e pandemisë globale, haptasi u ngushtuan kufijtë e privatësisë dhe u zgjeruan kufijtë e vëzhgimit (mbikëqyrjes).  Shumë shtete si Kina, Izraeli, Irani, Rusia, SHBA etj, me anë të ekspertëve të teknologjisë, aplikacioneve të ndryshme apo edhe kompanive të mëdha që ofrojnë shërbime në mbledhjen e të dhënave, kanë ofruar shërbimet e tyre në gjurmimin e të prekurve nga Covid-19. Gjithashtu, edhe vendet e BE-së kanë filluar përdorimin e teknologjive të ngjashme edhe pse po shoqërohet me debatet  në mes të shqetësimit të shëndetit publik dhe asaj të rrezikimit të privatësisë. Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, deklaroi se legjislacioni i privatësisë lejon përpunimin e të dhënave personale në rrethana të jashtëzakonshme, siç janë ato të virusit korona. EDPB u shpreh se në kontekstin e një pandemie dhe kur veprojnë në përputhje me ligjin kombëtar, punëdhënësit u lejohet të përpunojnë të dhëna shëndetësore të punonjësve të tyre.

Qeveria e Izraelit kohë më parë autorizoi shërbimet e saj të sigurisë të përdorin të dhënat e vendndodhjes së telefonisë celulare për të tërhequr lëvizjet e bartësve të konfirmuar me korona virus. Shteti i Izraelit nuk është i vetmi që ka përdorur këtë qasje. Kina, ku u shfaq virusi, është udhëheqësi global në mbikëqyrjen masive, me miliona kamera për njohjen e fytyrës në vend, monitorimin e bisedave telefonike, përdorimit të kartave të kreditit, aplikacioneve me pagesë dhe rrjeteve sociale, madje duke ju kërkuar njerëzve të raportojnë temperaturën e trupit dhe raportet mjekësore. Kompanitë kineze kanë zhvilluar teknologji të reja në mënyrë që të monitorojnë temperaturat e larta të njerëzve apo duke nxjerrë në pah individët që nuk mbajnë maskë fytyre edhe të detektojnë ata që mund të paraqesin rrezik në bazë të historisë së udhëtimeve dhe ekspozimin ndaj bartësve të viruseve. Nga vendet e tjera aziatike si Singapori po ashtu ka publikuar në një web faqe të dhënat e detajuara të pacientëve bartës të virusit, moshën, profesionin, gjininë dhe të dhënat e udhëtimeve përgjatë kohës që kanë qenë të infektuar. Monitorimi i të dhënave dallon nga kulturat e ndryshme dhe nga qeveritë e ndryshme, por janë më transparente në krahasim me Kinën. Asnjeri nga këto nuk kanë postuar emrat e pacientëve të infektuar.

Në vendet e Ballkanit, qeveritë e menaxhuan situatën me mjetet që patën në dispozicion. Autoritetet e Malit të Zi gjetën një zgjidhje të thjesht për individët që erdhën nga jashtë duke publikuar në internet një listë të plotë online dhe të të gjithë individëve që i nënshtrohen vetë-izolimit, me emrat dhe adresat për të parë të gjithë. Serbia veproj pak më ndryshe, pasi që zyrtarisht u shpreh që vizitorët nga Italia po gjurmohen duke monitoruar vendndodhjen e tyre të telefonave për të parë nëse ata i janë përmbajtur izolimit të detyrueshëm  prej 14 ditësh pas hyrjes në Serbi.

Por monitorimin dhe përcjelljen e individëve në mënyrë që të parandalohet pandemia dhe të arrihet mirëqenia e shëndetit publik, kjo situatë ka prekur një fushë të ndjeshme siç është rrezikimi i privatësisë. Sidoqoftë, përdorimi i disa teknikave për marrjen e të dhënave në mënyrë që të parandalohet pandemia mund të jetë e dobishme. Por, përcjellja dhe marrja e të dhënave pa ndonjë procedurë ligjore mund të përbejë një kaos. Përndryshe, të gjithë ne mund rrezikojmë sistemin, pushtimi i privatësisë në stilin Orvellian dhe uzurpimi i pushtetit, mund të jetë i pakthyeshëm pas përfundimit të krizës, veçanërisht në vendet që kanë problem me zbatimin e ligjit. 

Disa studiues shprehen se lufta ndaj COVID-19 mund të shndërrohet në një mjet  “mbikëqyrjeje” dhe në diçka më të tolerueshme në shoqëritë perëndimore. Pjesëmarrja thuhet se është vullnetare: përdoruesit pranojnë të ndajnë të dhënat e vendndodhjes së tyre në mënyrë që të lajmërohen kur ata mund të ishin takuar me dikë të infektuar. Të dhënat që qeveritë duhet të marrin nga jeta jonë private kryesisht është në duart e korporatave. Sektori privat është mësuar të bashkëpunojë me agjencitë qeveritare në situata emergjente. Deri tashmë, shumë prej aplikacioneve të ndjekjes së Covid-19 janë zhvilluara në mënyrë private. Këto aplikacione mbledhin të dhëna të ndjeshme, të cilat ekspozojnë individët ndaj rreziqeve të të drejtave të njeriut.

Njëra nga pyetjet e shumta që është bërë pas pandemisë është se Zoom a është i sigurte. Vlerësohet se sa është i sigurt është edhe i pa sigurt. Shumë nga ne mund ta kemi shkarkuar aplikacionin Zoom për shkak të ndonjë trajnimi, pune apo edhe për t’u qasur në mësim online. Para disa muajsh aplikacioni Zoom nuk njihej shumë por gjatë ditëve të fundit është bërë sinonim i video konferencave. Profesori i shkencave kompjuterike, Arvind Narayanan, e quan Zoom një “katastrofë të privatësisë”, i cili dërgon të dhënat e përdoruesve Facebook-ut edhe nëse nuk keni një llogari aty. Politika e privatësisë së Zoom-it i lejon aplikacionit të përdorë atë që e quan “përmbajtje të klientit” për qëllime reklamimi. Ditëve të fundit  më shumë se 500 mijë llogari të përdoruesve që përdorin aplikacionin Zoom, (përfshirë, adresat postave elektronike të përdoruesve të Zoom, fjalëkalimet dhe url-të e takimeve personale) janë hakuar për t’ju shitur dark webit. Flitet se një numër i madh shkollash dhe ndërmarrjesh që përdorin aplikacionin janë prekur nga ky skandal i sigurisë së të dhënave, duke venë në dyshim besueshmërinë ndaj këtij aplikacioni. Jitsi
është njëra nga platformat  për video konferenca besohet se është më i sigurte, i cili nuk kërkon as llogari që të kyçeni në të por vetëm kërkohet që të kodohen takimet online. Prandaj, para se të përdoren aplikacione të tilla duhet të jemi të kujdesshëm në rregullimin e opsioneve të privatësisë.

Në shoqërinë e sotme, zhvillimi në të gjitha fushat kryesisht bazohet në informacion dhe teknologji. Prandaj, është shumë e rëndësishme që studentë dhe profesorët të përdorin mjetet e reja të teknologjisë në mënyrë që të kenë qasje në informacionin që u nevojiten sa më lehtë dhe shpejt. Por sigurisht duke pasur parasysh aspektet e privatësisë dhe të drejtat për ruajtjen e të dhënave personale. Atëherë, le të përdorim teknologjinë e mençur në mënyrën më të mençur!

*Flora Hajdarmataj është PhD Cand. në Universitetin Anadolu. Studiuese e Shkencave të Komunikimit dhe Çështjeve të Privatësisë në Mediat e reja.