Në kushtet e izolimit si pasojë e COVID-19, alternativa më e mirë për të kryer transaksione bankare është perdorimi i internet banking apo mobile banking. Bankat në vendin tonë janë gjendur të përgatitura perballë fluksit të madh e në rrije të kërkesave për përdorimin e transaksioneve online si dhe përdorimit te kartave të kreditit dhe debitit.

Dalja me orar dhe shmangja e radhave të gjata të klienteve në degët dhe sportelet e bankës është jetike në kohën e karantines. Në kushte të tilla, bankat të cilat kanë investuar me shumë në kanalet dixhitale kanë një avantazh të dukshëm krahasues ndaj atyre që kanë qenë më skeptik në këtë drejtim.

Një arsye i atribohet edhe ekonomisë sonë të bazuar gjerësisht në përdorimin e parase fizike. Bankat këto ditë kanë marrë masa proaktive, parandaluese me qëllim që edhe ato të ndihmojmë në mbajtjen në kontroll të përhapjes së COVID-19, duke përfshirë mbylljen e disa degeve dhe uljen e orarit të funksionimit për operacionet bankare etj. Si kompensim të këtyre masave, alternativa e vetme ngelen sherbimet bankare online.

Bankingu dixhital është kryerja aktiviteteve dhe shërbimeve tradicionale bankare nëpërmjet internetit. Tradicionalisht transaksionet bankare të klientëve kryhen vetëm në praninë fizike të klienteve brenda ambjenteve të bankës dhe në prani të shërbimit të klientelës së bankës. Tashmë transaksione të tilla si:

-Depozitat dhe tërheqjet e parave;
-Transfertat bankare;
-Aplikimi për produktet financiare;
- Menaxhimi i huasë;
-Pagesa e faturave;
-Shërbimet e llogarisë etj

Këto kryhen me anë të sherbimit online. Ne rang global, më shumë se 70% e konsumatorëve raportojnë të kenë kryer transaksione bankare në internet të paktën një herë në muaj, sipas Business Insider.  

Internet banking kërkon një kompjuter ose telefon mobile, një lidhje interneti dhe kartë debiti. Për të hyrë në shërbim, klientët duhet të regjistrohen për shërbimin bankar online të bankës duke krijuar edhe një fjalëkalim. Me pas, ata mund të përdorin shërbimin për të bërë transaksione bankare online. Gjithsesi duhet patur parasysh që prania fillestare e klientëve në momentin e hapjes së llogarisë dhe aplikimit për shërbimin e internet banking është e nevojshme.

Në vendin tonë, shumica e bankave zakonisht ofrojnë shërbime themelore siç janë transferimet dhe pagesa të faturave. Bankat në vendet e zhvilluara i lejojnë klientët të hapin llogari të reja dhe të aplikojnë për kredi përmes portaleve bankare në internet. Që të arrihet ky stad (kreditimi online) nuk mjafton vetëm databaza e të dhënave të bankës por të gjitha të dhënat financiare të klienteve individë apo korporatë duhet të jenë të rregjistruara elektronikisht nga institucionet shtetërore dhe banka qendrore dhe të jenë të disponueshme online nga bankat e nivelit të dytë.

Perdorimi i shërbime themelore të ofruara nga bankat e nivelit të dyte në vendin tonë si pagesat e energjisë, ujit, telefonisë celulare, pagesat dhe deklarimet e tatim taksave, si dhe të gjithe llojet e transfertave janë një  komoditet dhe një avantazh i madh i bankingut online. Transaksione bankare si pagesa e faturave dhe transferimi i fondeve ndërmjet llogarive mund të bëhen lehtësisht 24 orë në ditë, madje edhe gjate fundjaves apo ditëve zyrtare të pushimeve. Fondet mund të transferohen midis llogarive pothuajse menjëherë, veçanërisht nëse të dy llogaritë mbahen në të njëjtin institucion.

Konsumatorët gjithashtu mund të monitorojnë llogaritë e tyre rregullisht nga afër, duke parë nëse pagesat dhe detyrimet në drejtim të tyre janë kryer në kohë reale. Disa banka po operojnë gjithnjë e më shumë në internet dhe kanë futur konceptin e degës dixhitale, pa degë fizike dhe numër të reduktuar të stafit. Shërbimi ndaj klientit kryhet përmes telefonit, postës elektronike ose bisedës online. Koha dhe kostot e transaksionit ulen ndjeshëm si për bankën ashtu dhe për klientët.

Tek konsumatorët e rinj kohet e fundit vihen re preferenca në rritje për dixhitalizim e transaksioneve bankare ndërsa situata aktuale po e bën më urgjent nevojën për shërbime bankare dixhitale në të gjitha grupmoshat. COVID-19 po sfidon operacionet tradicionale bankare.

Transaksionet online jo vetëm plotësojnë në menyrë me eficente nevojat dhe dëshirat e klienteve por janë kthyer në një domosdoshmeri në këto dy muajt e fundit. Me shumë gjasa Bankingu Dixhital do jetë kryefjala e sitemit bankar edhe pas rikthimit në gjendje normale. Bankat do jenë të detyruara të alokojnë pjesë të konsiderueshme të buxhetit të tyre në zvillimin e teknologjive si e-banking, mobile banking, deget dixhitale etj, ose mund të humbasin terren tek konkurentët.

Transaksionet bankare me natyrë elektronike, në dukje futuristike, tashmë janë bërë pjesë e revolucionit teknologjik dhe Covid 19 i ka dhënë një shtysë të jashtëzakonshme zhvillimit të tregut elektronik bankar në rrafsh global përfshirë vende me perdorim të lartë të parasë fizike si Shqipëria.

*Dr. Roland Subashi është pedagog dhe Përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Administrimit në Universitetin Metropolitan Tirana.