Brikena, si lindi ideja për të zhvilluar një projekt për banesa kolektive në këtë zonë të Tiranës?
Ideja lindi si pasoje e një detyre në lëndën Studio IV. Sheshi ku ishte zgjedhur për t’u projektuar ndodhet në lindje të qytetit të Tiranës. Ky shesh ishte mjaft frymëzues, pasi ndodhet në kryqëzimin e rrugëve çka të lë hapësire për ide të bukura projektuese dhe në veri ka pamje nga mali i Dajtit, një panorame interesante dhe e rrallë për një projektim në qytet. Zona ku ndodhet sheshi perbehet kryesisht nga ndertime me funksion banimi, prandaj dhe ideja e një banesë kolektive shkon më së miri në këtë shesh.


Kjo zonë quhet ndryshe edhe "Tirana e kuqe", sa e vështirë është të projektosh në një zonë historike dhe çfarë duhet të mbahet parasysh?
Mendoj që të projektosh në një zonë historike është një nder më vete. Përsa i përket vështirësisë, thjesht duhet të ruash identitetin e zonës duke mos e shndërruar atë në një zonë me identitet tjetër nga ai që ka. Për të ruajtur këtë identitet duhen mbajtur parasysh materialet e përdorura në fasadat e ndertimeve të kësaj zone, çarjet, altimetrinë, llojin e mbulesës… etj.



Cilet janë arkitektet me të famshëm për projektimin e banesave që të kanë frymëzuar?
Nder arkitektet më të famshem që më kanë frymëzuar për projektimin e banesave kolektive do të përmendja Shigeru Ban, arkitekt japonez, Andreas Dilthey, arkitekt gjerman, Jacquez Herzog, arkitekt zviceran dhe Dietmar Eberle, arkitekt austriak, të ciltë projektojnë me forma gjeometrike të thjeshta, linja të pastra e të drejta dhe shpeshhere nxjerrin më në dukje katin perdhe duke perdorur një rresht kolonade. Në veprat e ketyre arkitektëve të famshem përveç estetikes, vihej theksi edhe mbi atë që është njerëzore e humane.

Cilat janë karakteristikat e projektit për sa i përket planimetrive dhe zgjidhjes funksionale?
Nga studimet e bëra për tipologjitë e familjeve në ditet e sotme në vendin tonë kryesonin kerkesat për tipologji të apartamenteve 2+1, gjithashtu edhe garzonieret ishin mjaft të kërkueshme duke qenë se Tirana është një vend me shumë banore ndër të cilet disa janë të moshuar të vetmuar, disa te tjere te rinj të pavarur nga familja dhe disa student të rretheve që studiojnë në kryeqytetin e Tiranës. Keshtu vendosa që projekti im i baneses kolektive të përbehet kryesisht nga apartamente 2+1, një pjesë e konsiderueshme 1+1 dhe garzoniere. Apartamentet kanë karakter gjatësor dhe aksesohen nga dy palë shkallë po gjatësore të hapura. Këto dy shkallë e “ndajnë” objektin në dy zona duke qenë se çdo anë aksesohet nga shkallët e veta, pra nuk kanë komunikim të drejtpërdrejt me njëra-tjetrën. Të dyja këto “zona” kanë një hapësirë të përbashkët përgjatë altimetrisë së ndërtesës, për ata banorë që duan të dalin jashtë për të marrë ajër të pastër, tymosur apo biseduar pa dale nga objekti. Në katin përdhe, i cili është menduar për funksionin shërbim, ka lidhje të drejtpërdrejtë midis rrugës dhe oborrit të brendshem  të nderteses. Përgjatë rrugës ka një rresht kolonade, që pervec si mburoje ndaj shiut sherben edhe si “ftuese” e banoreve për të ndjekur atë itinerar qoftë për shetitje apo për t’u terhequr nga aktivitet që do të zhvillohen pergjatë gjatësisë së ndërtesës.

Fasadat duken shumë interesante, çfarë ke mbajtur parasysh në projetin tënd?
Pervec kolonades “ftuese” dhe shkallet e hapura me pjesë gjelberimi që varen në parapetet e tyre, kam mbajtur parasysh edhe rendin e njëtrajtshem të dritareve me pamjen e tyre gjatësore të përsëritura. Në një nga fasadat me pamje nga rruga dhe në të dyja fasadat me pamje nga oborri i brendshëm e kam thyer këtë rend me një rresht vertikal llozhash duke thyer kështu në menyre jo shumë të dukshme monotonine që ndjek ndërtesën. Gjithashtu i kam shtuar objektit thyerje te alimetrisë në cepat fundor duke i dhënë një shkallëzim të butë fasadave dhe një pamje më interesante. Ketyre thyerjeve të altimetrise i kam dhënë jetë duke vendosur aty hapesirat e përbashkëta që përmenda më lart.

Keni ndonjë rekomandim për studentet e arkitektures, për shembull përsa i perket aspekteve teknike?
Në qofte se ata duan të bëhen arkitektë të vërtetë dhe mjaft të zotë, të lexojnë sa më shumë literaturë, të shohin veprat e arkitektëve të famshëm, të ushtrohen në mënyrë të pavarur duke i vënë në punë njohuritë që marrin, sepse praktika është ajo që të mëson më shumë dhe të jep experiencë qofte edhe duke gabuar. Gjithashtu të bejne sa më shumë makete që të zhvillojnë logjikën hapësinore dhe të kuptojnë se si funsionon vepra e tyre në raport me realitetin.

*Brikena Paja është studente e vitit te tretë në programin e Arkitekturës në Universitetin Metropolitan Tirana.