Intervistë me studentin e arkitekturës në Universitetin Metropolitan Tirana Redion Lamaj.

Redion, ju keni paraqitur një projekt banese rezidenciale mjaft interesante. Nga frymëzoheni për të dizenjuar këtë projekt?
Në, fakt frymëzimi im është disi i dyzuar. Nga njëra anë më pëlqen arkitektura me forma kubiste të qarta, diçka që gjendet te arkitektura moderniste e pastër e projektuar psh. nga Adolf Loos. Këto shprehje i gjejmë ende sot në arkitekturën kontemporane sidomos në vendet ku ka patur një trashëgimi të pasur të arkitekturës moderniste avant-guarde. Nga ana tjetër me frymëzon arkitektura e vendeve të mesdheut loja e volumeve nën dritë që gjendet në arkitekturën gati vernakolare, hera-herës e temperuar me një lloj orientalizmi që shfaqet te ndërtimet e Lindjes së mesme. Në fund të fundit, edhe Ballkani dikur njihej si “Lindja e Afërme” kështu që kjo lloj arkitekture mesdhetare më inspiron shumë dhe besoj së kjo ndjesi të përcillet me imazhet e objektit që kam projektuar.



Mendon se arkitekti duhet të frymëzohet nga shëmbujt dhe referencat e mëparshme?
Mendoj se kjo është diçka e pashmangshme. Që nga kohët antike arkitektura është thjesht përsëritje e formave të së shkuarës, kuptohet duke perdorur teknologjinë e kohës. Disa element konstruktive janë thjesht te pa ndryshueshëm dhe universalë si për shembull format primordiale: sfera, piramida, kubi apo harku, i cili vertët u shpik nga Romakët por ka mbetur në histori dhe është përseritur pafundësisht. Të lind përshtypja së këto forma janë pjese integrale e të “pandërgjegjëshmen kolektive njerëzore” dhe përsëritja është diçka natyrale.  Por për  t’ju përgjigjur pyetjes tuaj më qartësisht, në këtë projekt dy referenca kanë qënë shumë të rëndësishmë dhe instrumentale për mua: e para‘Habitat 67 e arkitektit Izraelito-kanadez Moshe Safdie, në Montreal i cili qëndron si një masë kubash në hapësirë dhe e dyta projekti “Nagakin Kapsule Tower” e arkitektit metabolist japonez Kisho Kurokawa në Tokio.

Me çfarë mund ta krahasoje arkitekturën?
Arkitektura për mua është si loja e “shahut” ka rregulla loje, funksione, levizje të caktuara qe nuk mund të anashkalohen, por nga ana tjetër një pafundësi mundësish, algoritme të pafundme formë-krijimi dhe hapësire të cilat mund të të nxjerrin në përfundime nga më të ndryshmet edhe për nje hapësirë të kufizuar. Për shembull në projektin në fjalë kam zhvilluar disa variante ku kubat që perfaqësojnë disa njësi apartamente vendosen njëra mbi tjetren dhe përfundimet dhe skenaret ishin nga më të ndryshmet. Në fund arrita në përfundimet që shihen në imazhe por kjo mund të vazhdonte më tej me variabla të tjerë.


Aspektet e funksionalitetit sa të rëndësishmë janë?
Aspektet e funksionalitetit janë shumë të rëndësishmë. Kjo e bën arkitekturën të ndryshme nga artet e tjera, ngaqë është një art i aplikuar. Vitruvi kur përshkruante arkitekturën shkruante se e para është “Firmitas” pra konstruksioni dhe qëndrueshmëria e banesës, më pas “Utilitas” funksioni dhe në fund por jo më pak e rëndësishëm “Venustas” aspektet estetike dhe poetike të arkitekturës. Funksionaliteti është tejet i rëndësishëm dhe unë jam përpjekur që kjo banesë rezidenciale të plotësojë kriteret e funksionalitetit dhe komfortit duke përfshirë diellëzimin, ventilimin natyral dhe harmoninë e funksioneve në raport me lëvizjen.

Cili është arkitekti shqiptar që ju preferoni?
Për mendimin tim, një nga arkitektet më të mirë ka qënë arkitekti Maks Velo. Veprat e tij patjetër do të mbeten si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe ne kemi shumë për të mësuar prej tyre. Shpresoj së shpejti të zhvilloj edhe një studim mbi ketë teme  me fokus “Disidenca në Art dhe Arkitekturë gjatë periudhës së realizmit socialist”. Shpresoj të kem mundësi të aplikoj edhe për një financim për këtë projekt.