Njihuni me fituesit e edicionit dytë Start Up City, 20 ide reja biznesi pushtojnë Tiranën!

 

Njihuni me fituesit e edicionit të dytë të Start Up City, 20 ide të reja biznesi pushtojnë Tiranën!

Start Up City, aktiviteti kushtuar ideve të biznesit nga të rinjtë sapo mbylli siparin e edicionit të tij të dytë.

Ishte pikërisht Universiteti Metropolitan Tirana, në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë së Tiranës, që risolli mundësinë unike për të gjithë studentët të cilët kanë ambicie në fushën e biznesit. Nga 80 aplikime u përzgjodhën 20 ide dhe përgjatë tre ditëve të Start Up City 2, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen dhe të vihen në kontakt me përfaqësues të industrive dhe kompanive të ndryshme.

Dy ditët e para iu kushtuan trajnimeve, ku grupet u njohën më mentorët e tyre, personazhe të njohur të fushës akademike dhe të biznesit. Pjesëmarrësit u trajnuan në krijimin e planit të biznesit, në sipërmarrje, në rëndësinë e markës si dhe në prezantimin e idesë përpara jurisë.


Pikërisht prezantimi i ideve interesante që varionin nga krijimi i sistemeve të biletarive online, te monitorimi me shenjën e gishtit, punimet artizanale dhe rritja e bimëve në ujë, ishte etapa e fundit e këtij eventi maratonë. Projektet më të mira u vlerësuan me shumë çmime, ku vendin e parë e fitoi krijimi i një kompanie marketingu, “Concept Marketing Albania” e ideuar nga Endri Nasufi dhe Krismando Bisha, studentë të Universitetit Metropolitan Tirana, si edhe kolegut të tyre Mersin Gogla. Kjo ide do të financohet me 100,000 lekë të reja për t’u zhvilluar më tej.

Zoti Arjan Çukaj, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana dhe anëtar i jurisë së Start Up City shprehu vlerësimin e tij për të gjitha grupet dhe idetë pjesëmarrëse, duke rikujtuar që aktivitete të tilla në mbështetje të të rinjve të talentuar janë në fokusin e UMT.

“Jam i lumtur që shoh se teoria e marrë në universitet përkthehet në produkt konkret në fushën e biznesit. Ky ka qenë një qëllim i Universitetit Metropolitan Tirana, edhe me krijimin e “Metropolitan Incubator”, inkubatori i parë brenda një universiteti shqiptar. Për të realizuar këto ide duhet këmbëngulje që fillon nga ëndrra dhe puna. Edhe unë jam ende në ndjekje të ëndrrës sime, pasi çdo mëngjes kërkoj dhe mendoj për ide të reja. Sot ju keni thjesht një ide, sigurisht që do të keni ditë të vështira, ndoshta edhe dështime, por nuk duhet të dorëzoheni. Edhe vetë Universiteti Metropolitan Tirana u krijua në një kohë shumë të vështirë, kur shumë universitete kishin zgjedhur që thjesht të shpërndanin diploma. Por ne zgjodhëm cilësinë dhe ja ku jemi sot, me një institucion që frymëzon një të ardhme më të mirë. Ka një shprehje që thotë nëse doni të ecni shpejt, ecni vetëm, por nëse doni të shkoni larg, ecni në grup”, u shpreh themeluesi dhe Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, Arjan Çukaj.  

Ideja e dytë më mirë, e cila do të vijë në formën e një faqeje Web, “barna.com.al” fitoi një abonim 1-vjeçar interneti nga Abissnet, ndërsa shumë grupe të tjera fituan trajnime në fushën e Digital Marketing, në Lidership dhe në të Folurin Publik. Pesë ide do të vijojnë të zhvillohen në “Metropolitan Incubator”, inkubatori i parë brenda një universiteti në Shqipëri.