Panairi i Karrierës UMT, një hap pranë suksesit profesional

 

Në prag të mbylljes së një tjetër viti të suksesshëm akademik, Universiteti Metropolitan Tirana hapi dyert për të gjithë studentët në Panairin e Karrierës gjatë të mërkurës së 29 Majit.

Maturantë të cilët ende po kërkojnë vendin e duhur për të vazhduar studimet e larta, si dhe vetë studentët e UMT u bënë pjesë e këtij eventi i cili zhvillohet çdo vit në ambientet e kampusit të Universitetit.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me tregun e punës për secilin nga fakultetet respektive, pasi të pranishëm në këtë panair ishin mbi 40 biznese të industrive të ndryshme si ajo e telekomunikacionit, bankare, teknologjike, sigurimit, elektronike, por dhe institucionet qeveritare.

Përfaqësuesit e departamenteve të Burimeve Njerëzore të kompanive pjesëmarrëse diskutuan me studentët mbi mundësitë reale të punësimit dhe praktikave të nevojshme mësimore të cilat do u vijnë në ndihmë gjatë profilizimit të tyre në tregun shqiptar të punës.

Gjatë fjalimit të hapjes së këtij aktiviteti, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, Zoti Arjan Çukaj përfitoi të falenderonte të gjithë pjesëmarrësit të cilët u bënë pjesë e këtij momenti kaq të rëndësishëm për këtë institucion prestigjoz arsimor: “Sa më i ngushtë të jetë ky bashkëpunim mes nesh aq më i ngushtë do të jetë edhe hendeku mes teorisë edhe praktikës, për të gjithë studentët të cilët po kryejnë aktualisht studimet dhe ata të cilët do t’i nisin së shpejti.”

Universiteti Metropolitan Tirana është i njohur për programet profesionale të studimit, me një staf akademik të kualifikuar dhe me laboratorë të dedikuar.