UMT Fiton një projekt ndërkombëtar për Zhvillimin e Doktoraturave

Me një konsorcium të përbërë nga 16 partnerë prestigjiozë evropianë si Universiteti i Vjenës në Austri, Universiteti i Malit të Zi, Universiteti i Mariborit në Slloveni, etj, me një buxhet mbi 870 mijë euro, Universiteti Metropolitan Tirana, është pjesë e projektit të fituar Erasmus + nga fondet e Komisionit Evropian.

Quhet MARDS dhe ka në fokus reformimin e studimeve doktorale duke bërë të mundur:

- Ngritjen e shkollës së përbashkët të doktoraturës në Shqipëri dhe Malin e Zi, në programe me fokus zhvillimin e qëndrueshëm, teknologjinë, ekonominë, turizmin, etj;
- Mundësinë e financimit për studimet e doktorale;
- Zhvillimin e një modeli të ri të studimeve doktorale të adaptuar sipas praktikave më të mira të partnerëve europianë;
- Promovimin e kërkimeve shkencore akademike në nivel evropian.

Konsorciumi i projejktit përfshin universitete në disa shtete si Mali i zi, Austria, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia dhe Shqipëria.

Universiteti Metropolitan Tirana ndër të tjera synon të arrijë atë që njihet si ‘‘ndërkombëtarizimi në shtëpi’’, i cili konsiston në përfshirjen e dimensioneve ndërkulturore dhe ndërkombëtare në kurrikulën, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Kërkimi shkencor është pjesë integrale dhe e domosdoshme e jona. UMT angazhohet në përmbushjen e kritereve dhe standardeve për të ofruar programe të ciklit të tretë të studimeve, të cilat gjithashtu do të projektohen duke pasur në fokus dy objektiva: adresimin e nevojave, kontekstit kombëtar dhe dhe të sigurojë koherencë përballë programeve të studimeve në Europë.