Audituesi energji profesion e kërkon koha!

Dr. Nikolla Nika – Drejtor i Qendrës Kërkimore Shkencore të Fakultetit të Inxhinierisë dhe Shkencave të Aplikuar, në SHPAL "Universiteti Metropolitan Tirana"

                                                                                             Pak shënime (për një temë të madhe), të shkruara duke marrë shkas nga kursi i formimit të vazhduar “Auditim në Energji” që organizon   “Universiteti Metropolitan Tirana”, realizuar sipas normave dhe kërkesave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe që shërben si kusht paraprak për t‘u pajisur  me licencën e audituesit të energjisë. Kursi zhvillohet nën drejtimin didaktik të Dr. Klaus Vogstad, profesor në Universitetin Teknologjik dhe Shkencor të Oslos (Norvegji).

Zhvillimi i kursit të formimit të vazhduar “Auditim në Energji”, organizuar nga “Universiteti Metropolitan Tirana”, u krijon mundësi  studentëve për t’u përfshirë  dhe për t’u angazhuar  profesionalisht me një nga problemet e mëdha të së sotmes dhe të së ardhmes, që është energjia. Energjetika në vendin tonë, krahas sukseseve, paraqet një fushë që ka probleme të shumta të akumuluara, që presin të trajtohen. Jo më kot, në krye të kursit është Dr. Klaus Vogstad, specialist i energjetikës, studiues në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë, me punime dhe kontribut  në optimizimin e shpërndarjes së energjisë, me kontribut në algoritmet e auditimit, të efiçencës së energjisë, të praktikave të prodhimit të energjisë në njësi të vogla etj, i cili sjell një përvojë  të tij, por edhe të një vendi si Norvegjia. Sot, Norvegjia është një forcë e madhe energjetike në Europë, falë rezervave të mëdha të naftës në detin e Veriut, por edhe të një sistemi kompleks  të integruar të prodhimit  të energjisë. Ky vend përfaqëson edhe një model se si mund të kufizohet dhe të ekonomizohet konsumi i energjisë. Ekzistenca në krye të kursit e një specialisti të huaj të suksesshëm, të krijon besimin se ky kurs do të jetë rezultativ.

Sektori energjetik në Shqipëri, me reformat që kanë filluar, ka shumë rrugë për të kryer deri sa të bëhet pjesë e sistemit europian. Kështu, orientimi i sistemit energjetik në ekonominë e tregut të lirë, shërbimi i konsumatorëve, krijimi i një baze prodhimi të energjisë së shumëllojshme, të diversifikuar, përdorimi i teknologjive moderne, hapja e tregut dhe nxitja e krijimit të burimeve të rinovueshme të energjisë kërkojnë rritjen e efiçencës së përdorimit të energjisë. Vetë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit nuk mund të mendohet pa një sistem energjetik që të mbështesë këtë zhvillim. Pra, rritja e efiçencës së përdorimit të energjisë, optimizimi i sistemit të furnizimit, mbrojtja e mjedisit dhe të tjera kërkesa të kohës, qëndrojnë në boshtin didaktik dhe shkencor të kursit.

Strategjia e BE-së në fushën e energjisë përfshin, si një nga drejtimet bazë të saj, rritjen e efiçencës energjetike. Kështu, ulja e konsumit dhe e shpërdorimit të energjisë bëhet gjithmonë e më e rëndësishme për Europën. Në vitin 2007, udhëheqësit e vendeve të BE-së vunë si objektiv uljen në masën 20% të konsumit vjetor të energjisë brenda vendeve të BE-së deri në vitin 2020. Kjo iniciativë është përkrahur edhe nga Shqipëria. Masat për rritjen e efiçencës energjetike (sipas drejtuesve të BE-së) shërbejnë për të realizuar, njëkohësisht, një sërë objektivash të kohës. Kështu, me rritjen e efiçencës energjetike dhe duke mos ndryshuar prodhimin, por duke ulur konsumin, synohet në realizimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji, uljen e emetimit të gazrave dhe të produkteve të djegies, pakësimin e fenomenit të serës, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, uljen e shpenzimeve për importin e gazit dhe të naftës, si dhe të energjisë në përgjithësi, por edhe rritjen e forcës konkurruese të BE-së. Pra, kuptohet se rritja e efiçencës energjetike është prioriteti që përfshin shumë targete njëkohësisht. E thënë ndryshe, efiçenca energjetike kthehet në prioritet strategjik në BE.

Për të treguar rëndësinë që i kushton BE-ja këtij problemi, theksojmë se, për rritjen e efiçencës së energjisë në vitet 2014-2020 në vendet e BE-së, planifikohen fonde që kapin shumën e 17 miliardë eurove. Ndër të tjera,  këto fonde përfshijnë edhe  ndërhyrjet, për këtë qëllim, në ndërtesat e banimit dhe ato publike që janë në shfytëzim ose që po ndërtohen rishtazi.

Shqipëria, në rrjedhën e zhvillimeve në BE për këtë çështje, ndjek dhe sinkronizohet me politikat energjetike europiane. Për këtë, dëshmojnë një sërë masash dhe ligjesh që janë marrë dhe që janë jehonë e zhvillimeve në Europë (kujtojmë ligjin 124/2015 “Për efiçencën e energjisë”). Sikurse vihet re, direktivat europiane kanë ndihmuar për hartimin e rregullave dhe politikave kombëtare në fushën e energjetikës, për zhvillimin e tregut të energjisë, për rritjen e shkallës së sigurisë së furnizimit, por edhe për kursimin dhe ekonomizimin e energjisë. Në ligjin e mësipërm institucionalizohen organizma dhe bëhet fjalë për rolin, detyrat, misionin dhe rëndësinë e audituesit të energjisë.

Kursi “Auditim në Energji” është i ndërtuar mbi bazën e tematikave (moduleve) që duhet të njohë audituesi i energjisë. Kështu, ai trajton bazat e auditimit në energji, auditimin e energjisë në ndërtesa, auditimin e energjisë në industri dhe auditimin e energjisë në transport. Ai është i organizuar në mënyrë të tillë që studenti mund të zgjedhë edhe veçmas një nga drejtimet e mësipërme.

Në pjesën e parë, kursi sjell parimet, normat dhe standardet që përdoren në auditimin energjetik. Të gjitha janë të trajtuara sipas praktikave europiane. Kurrikulat kanë të gërshetuara njohuritë teorike me aplikimet konkrete.

Përveç anës teknike, në kurs jepen edhe njohuri për bazën ligjore të auditimit. Studentët, nëpërmjet trajtimit të përqëndruar të materialeve të kursit, familjarizohen shpejt me problemet konkrete, si edhe me teknikat profesionale.

Moduli mbi auditimin energjetik në ndërtesa përfshin një spektër mjaft të gjerë temash. Problemet e shumta që ekzistojnë në realitetin shqiptar përcaktojnë edhe drejtimet dhe objektivat e studimit. Terma të tillë, si: “apartamente me konsum zero ose konsum minimal”, “energji e pastër” etj., marrin trajta konkrete. Auditimi përfshin jo vetëm çfarë duhet bërë në ndërtimet e reja, por edhe se si duhet të ndërhyhet në ndërtimet ekzistuese për të arritur parametrat energjetikë. Realiteti shqiptar me kërkesat në rritje, por edhe përvoja europiane diktojnë që çdo apartament të plotësojë gjithmonë e më shumë standardet energjetike. Përmirësimi i performancës energjetike të ndërtesave është pjesë e objektivave kombëtare në fushën e energjetikës. Koha kërkon që të realizohet edhe pajisja e apartamenteve me certifikimin energjetik. Studimi i performancës dhe pajisja me certifikim energjetik janë detyra që, krahas të tjerave, i realizon edhe audituesi i energjisë. Jo vetëm kaq, por edhe arkitektët, inxhinierët e ndërtimit, inxhinierët elektrikë, inxhinierët mekanikë etj., pra, të gjithë që janë të përfshirë në realizimin e banesës gjejnë njohuri të vlefshme dhe të nevojshme në ato çfarë ofron kursi.

Në modulin mbi auditimin energjetik në transport, si edhe në auditimin energjetik në industri, trajnimi sjell novitetet që përjetojnë kaq vrullshëm këto fusha në aspektin energjetik. Kuptohet që Europa dhe bota, një pjesë shumë të madhe të investimeve, tani e orienton në automjetet me energji elektrike etj.

Shtoj se më 17 Janar 2018, Parlamenti Europian shprehu idenë për një ulje të re të konsumit të energjisë në BE në masën 30% deri në vitin 2030. Kjo shifër bën të ngjajë se në këtë çështje mbërrihet maksimumi, se atakohet  “e pamundura”, se i shkohet  realitetit në limit. Ky është romantizmi i shkencës së energjisë sot. Limitet në këtë fushë duket se nuk ekzistojnë. Dhe kjo ndodh që në momentin kur zbulohen mënyra të reja për gjenerimin dhe ruajtjen e energjisë, për  krijimin e biokarburanteve nga mbetjet bimore dhe konservimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme në bateritë me kosto të ulët  dhe me kapacitet të lartë, kur krijohen modele për të përmirësuar efikasitetin e energjisë në të gjitha shkallët, nga nanostrukturat dhe qelizat fotovoltaike te centralet e mëdha të energjisë dhe rrjetet inteligjente elektrike. Kjo ka bërë që  njerëzit të përzgjedhin, të marrin vendime konkrete në lidhje me energjinë. Vendime për energjinë marrin jo vetëm  konsumatorët individualë, por edhe kombe të tëra për të ardhmen e tyre energjetike. E sigurisht, këto vendime lidhen jo vetëm me mjedisin, por edhe me njerëzit.

“Beteja” për energjinë parashikohet të vazhdojë shumë gjatë, mendohet për dekada të tëra, për të mos thënë përjetësisht. Në Shqipëri, ajo është në fillimet e saj. Kështu, edhe përgatitja e specialistëve në fushën e energjisë mbetet një nevojë e kohës.