Fjala e Rektorit

Të dashur studentë, të nderuar prindër dhe kolegë.

Kam nderin të pranoj një detyrë mjaft të rëndësishme në karrierrën e një personi, një detyrë që veç të tjerash është edhe një sfidë e bukur. Sfidat janë pikërisht ato që e bejnë jetën më interesante dhe kalimi me sukses i tyre është ajo që e përmbush atë. Të vazhdoj rrugën e nisur nga kolegu im, profesor Gëzim Karapici, është pra kjo sfidë e bukur dhe ajo që dua të ndaj me të gjithë ju sot, përveç falenderimit për besimin tuaj, është edhe vizioni im për të vazhduar atë rrugë.

SHPAL Universiteti Metropolitan Tirana ka lindur 6 vite më parë si një risi i arsimit të lartë në vend. Në një treg të gjerë mundesish dhe programesh studimi, SHPAL Universiteti Metropolitan Tirana erdhi si një universitet i fokusuar, i qartë në profilizimin e tij dhe besoj tashmë është edhe një shembull suksesi në këtë realitet. Për të mos u zgjatur tek e kaluara, kam besimin e plotë se ajo që po vjen është akoma më e rëndësishme dhe më e vështirë, por edhe akoma më e bukur se ajo që kemi lënë pas. Ne jemi një universitet modern, metropolitan, i kompletuar nga oferta akademike, por ajo që kemi synimin tashmë është të rrisim nivelin e kërkimit shkencor dhe të forcojmë ndërveprimet që kemi me partnerët tanë dhe të huaj, pikërisht në këtë fokus.

Një universitet cilësor nuk mund të jetë i tillë pa një kërkim të mirëfilltë shkencor .

Unë besoj që kjo duhet të jetë pikërisht kthesa jo vetëm për universitetin tonë por për të gjithë sistemin arsimor shqiptar. Ne duam të kontribuojmë në forcimin e kërkimit tonë shkencor jo vetëm për studentët tanë por edhe në përmbushjen e misionit të vetë sistemit universitar: të ndihmojë vendin në zhvillim e tij, një zhvillim inteligjent dhe i qëndrueshëm. Por në të njëjtën kohë të krijojë edhe premisat që ky zhvillim të bëhet një ndihmë konkrete edhe në përmirësimin e kurrikulave të vetë studenteve, të cilët janë dhe do të mbeten qëndra e interesit dhe e vëmendjes tonë të përhershme. Vazhdojmë te kemi besimin dhe dëshirën që të krijojmë lider të së ardhmes dhe studentet tanë janë forca jonë për të realizuar këtë objektiv.

Pikërisht pra, tek ju të dashur studentë dua të ndalem në fund.Unë kam kaluar një jetë të tërë mes jush dhe dëshira ime është që të vazhdoj t’ju shërbej me dijen dhe eksperiencën time në planin e mësimdhënies por njëkohesisht, dua të ndaj me ju edhe këtë eksperiencë të rëndësishme. Do të jem Rektori i SHPAL Universiteti Metropolitan Tirana duke qënë profesori juaj i perhershem. Për t’ju udhëhequr në këtë fazë të jetës ku ju realisht investoni për më të mirën e saj. Është një sfidë e përbashkët, e vetmja sfidë që na realizon dhe na bën më të vlefshëm dhe më të përgjegjshëm për rolin që kemi në shoqërinë dhe realitetin shqiptar.


Me respekt.
Prof. Dr. Agim Selenica
Rektor i SHPAL Universiteti Metropolitan Tirana