Sfidat e Zhvillimit Qëndrueshëm

Konferenca e Parë Ndërkombëtare e zhvilluar nga SH.P.A.L"Universiteti Metropolitan Tirana" në fushën e ekonomisë me temë, “Sfidat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”.

Në këtë konferencë të rëndësishme organizuar nga SH.P.A.L Universiteti metropolitan Tirana morën pjesë ekspertë të ekonomisë në Shqipëri si, Prof. Asc. Arben Malaj, ish- ministër i Financave dhe personalitete të njohura botërore nga fusha e ekonomisë dhe inxhinierisë si, profesori Sergio Barile, i universitetit “La Sapienza” të Romës, Manuel Casalboni zëvëndës presidenti i “Urdhrit të Inxhinierëve në Romë” dhe shumë emra të tjerë. Gjatë këtij aktiviteti specialistët theksuan rëndësinë e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe faktorët të cilët bëjnë të mundur këtë. SH.P.A.L.”Universiteti Metropolitan Tirana” nëpërmjet konferencës “Sfidat e Zhvillimit të Qëndrueshëm” nxit debatin mbi modelet e përshtatshme të zhvillimit ekonomik. Në fjalën e tij rektori i këtij universiteti Prof. Dr. Gëzim Karapici tha se stafi akademik dhe ekspertët e këtij universiteti në fushën e inxhinierisë, arkitekturës, ekonomisë dhe teknologjisë së informacionit, kanë bërë kërkimet e tyre për të dhënë modele të zhvillimeve ekonomike. SH.P.A.L“Universiteti Metropolitan Tirana” është një institucion i arsimit të lartë me rol edukativ dhe informativ që investon në kërkime shkencore për modele të qëndrushme të zhvillimit ekonomik. Në këtë kuadër kemi nder të kemi sot prezent, midis nesh profesorë italianë të njohur në nivel ndërkombëtar. Analizën dhe argumentin e tij e paraqiti edhe ish- Ministri i Finacave dhe njohësi i mirë i ekonomisë në vend, Prof. Asc. Arben Malaj. “Metropolitani përballet me një sfidë jo të lehtë, por që unë do ta konsideroja një sfidë fisnike për të ndikuar si ekip për modernizimin e kurrikulave të universitetit tuaj. Të rinjtë nuk duhen të tremben nga kriza aktuale, ata nuk duhet te vetëkonsiderohen si një gjeneratë e humbur. Është edukimi i tyre dhe dëshira për të punuar që mundësojnë ecjen përpara të një vendi”. – theksoi Malaj. Në këtë konferencë u promovua një model i ri zhvillimi i orientuar drejt traditës, territorit, inovacionit teknologjik, kërkimit. Në ekonominë e sotme i jepet rëndësi thelbësore aspektit te kompetitivitetit duke kërkuar me patjetër rritjen e efiçencës. Por, ambienti dhe respektimi i tij nuk mund dhe nuk duhen anashkaluar e keqpërdorur në këtë luftë konkurrenciale të uljes së kostove me çdo kusht. Modeli i ri i zhvillimit mbështet njëkohësisht kompetitivitetin dhe dhënien vlerë të kapitalit njerëzor, të rritjes ekonomike, respektimit të ambientit dhe të të drejtave njerëzore, sigurisë juridike, produktivitetit dhe të harmonisë shoqërore.