Të sjellësh ide të reja dhe të prezantosh punime inovative përballë profesorëve dhe kolegëve të auditorit, dhe e gjitha kjo në gjuhën angleze. Ishte pikërisht ky qëllimi i workshopit dy-ditor “Bringing the Science of English Language Learning into Classroom” organizuar nga profesoreshë Sonila Daiu me pjesëmarrjen e tre fakulteteve të Universitetit Metropolitan Tirana.

Rreth 80 studentë të viteve të para prezantuan në anglisht punimet e tyre në datat 6 dhe 7 shkurt përpara një audience të gjerë. Aktualisht në UMT disa programe studimi si Inxhinieri Software, Inxhinieri Elektrike apo Informatikë Ekonomike ofrohen edhe në anglisht, por në synimet e universitetit është që shumë shpejt të kthehet i gjithi në “English zone” dhe pa dyshim workshope si ky janë një fillim i mbarë.

Pas një mentorimi gjashtë javor të studentëve prezantues, Dr. Sonila Daiu u shpreh se një ndër qëllimet kryesore të këtij aktiviteti ishte edhe zbulimi i ideve potenciale për Start-Up City, një organizim i përvitshëm ky i UMT dhe Metropolitan Incubator.  

“Vetë lënda e gjuhës angleze përmban në përmbushjen e detyrimeve lëndore një prezantim të një detyre kursi/projekti. Ideja për shndërrimin e një prezantimi nga brenda klasës në një audiencë më të gjërë lindi pikërisht nga evidentimi i nevojës për të fuqizuar studentët në perfeksionimin e një prezantimi në një gjuhë ndërkombëtare dhe veçanërisht në gjuhën për qëllime specifike (ESP).Gjithashtu dhe një ndihmesë për të inkurajuar studentët për të folurën në publik, një nevojë e ditëve të sotme në çdo fushë apo profesion. Përmes këtij workshopi dyditor arritëm të evidentojmë studentët më të mirë që mund të kryejnë një semestër Erasmus+, identifikimin e ideve për Start-Up City, një trashëgimi nga WorkShopi i Parë që ne synojmë ta ushqejmë me krenari”, -thotë Dr. Sonila Daiu.

Por cilat ishin projektet më të suksesshme? “Projektet në terësi të gjitha do ti konsideroja të sukseshme, pasi aty mori jetë puna e gjithsecilit”, thotë Daiu duke renditur disa prej punimeve më mbresëlënëse nga çdo fakultet si studentja Trejsi Subashi me “Environmental Graphic Design”; Eleni Sara prezantoi “Phishing Technology”; Mirenko Daci, Sabina Shurdhi dhe Ronald Rapaj prezantuan temën "The importance of new technological methods in machine learning for more efficient businesses that compile data"; Irina Malasi, Lazaro Kacani dhe Floriana Topi prezantuan “Tomorrow Tech”; Oliver Matia dhe Cristian Ulqinaku, studentë në Administrim Biznesi prezantuan “Innovative car ideas” dhe Fiona Kadiu dhe Klea Çako, studente në Informatikë Ekonomike prezantuan “E-Commerce”.

Ky ishte edicioni i dytë i “Bringing the Science of English Language Learning into Classroom” në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë dhe Arkitekturës, Fakultetin e Shkencave Kompjuterike&IT dhe Fakultetin e Ekonomisë, me qëllim rritjen e vetëbesimit dhe fuqizimit të studentëve për t’u përballur me një treg më të gjerë konkurimi.

Studentët fitues të Workshopit:

Fakulteti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës
  • Sidorela Selami
  • Trejsi Subashi
  • Fabiola Voka
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe IT
  • Eleni Sara Xhani
  • Aleksandra Pilingiu
  • Mirenko Daci
Fakulteti i Ekonomisë
  • Fiona Kadiu
  • Irini Ata
  • Oliver Matia