Në përfundim të semestrit të parë të këtij viti akademik, Departamenti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Metropolitan Tirana organizoi një workshop me temë “Krijimi dhe dixhitalizimi i hartave kadastrale në ARCGIS”, ku studentët e vitit të dytë të programit profesional 2-vjeçar Topografi dhe GIS prezantuan punimet e tyre mbi dixhitalizimin e hartave duke përdorur programet “ArcGIS” dhe “AutoCadMap”.

Majlinda Cenameri, pedagoge e lëndës, tha se aplikimet GIS gjejnë përdorim shumë të gjerë si në hartografi ashtu edhe në statistika përmes të dhënave gjeodezive. Cenameri tregoi se GIS i ka fillesat në vitin 1993 në Shqipëri dhe ende tregu i punës ka nevojë për shumë specialistë.

Ndërkohë, i pranishëm në këtë workshop, Përgjegjësi i Departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit Dr. Nikolla Nika vlerësoi punën e studentëve, duke thënë se puna praktike që kanë bërë në auditor dhe në terren do t’u hapë me shpejtësi dyert e tregut të punës.

Punimet e studentëve konsistonin në mbledhjen e të dhënave përmes programit Excel, interpretimin logjik të tyre, përdorimin e tyre në ArcMap, ArcGIS, ArcCatalog dhe AutoCadMap, paraqitjen e rezultateve dhe ruajtjen e hartave finale për përdorime të mëtejshme. Disa nga prezantimet më intersante lidheshin me krijimin e hartës së tërmeteve të muajit nëntor në Shqipëri, dixhitalizimi i hartave të ndryshme ekzistuese dhe kthimi i tyre në 3D.

Qëllimi i programit profesional 2-vjeçar në Topografi dhe GIS në Universitetin Metropolitan Tirana është të përgatisë specialistë të kualifikuar në fushën e topografisë, të cilët do të japin ekspertizën e tyre në kantierët e ndërtimit apo aplikimin e hartave dhe planeve që kanë të bëjnë për infrastrukturën e projekteve të rëndësishme si segmente rrugorë, diga, vepra ujitëse etj. Në këtë program, studentët marrin dijet teorike së bashku me aftësitë praktike për të përdorur teknologjitë më të fundit në mënyrë eficente.