Ka filluar edicioni i pestë i Kursit të Vlerësimit dhe Investimit në Pasuritë e Paluajtshme në Universitetin Metropolitan Tirana. Ky kurs fillon në një moment të rëndësishëm sepse prej datës 14 janar ka hyrë në fuqi ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili ul detyrimin që paguhet në rast të shitjes së banesës ose një prone tjetër.

Në ceremoninë e hapjes, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana Ing. Arjan Çukaj tha se ky kurs është kthyer në një traditë të suksesshme të universitetit duke u ofruar ekspertëve të ardhshëm jo vetëm dijet për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, por edhe për investimin në tregun e pronave.

“KVIPP është një traditë e suksesshme e Universitetit Metropolitan Tirana. Në këtë kurs mblidhen ekonomistë, inxhinierë, arkitektë dhe juristë, të cilët ndërtojnë edhe një rrjet miqësor dhe bashkëpunimi. Në UMT kemi sjellë risi në këtë kurs, duke përfshirë jo vetëm vlerësimin por edhe investimin, falë bashkëpunimit me Drejtorin Didaktik David Allen”, u shpreh z. Çukaj.

Nga ana e tij, David Allen tha se si çdo vit ka sjellë për pjesëmarrësit e kursit të rejat më të fundit nga fusha e pasurive të paluajtshme.

“Ndryshe nga pedagogët e tjerë të këtij kursi, të cilët janë akademikë shumë të nderuar, unë nuk jam akademik, nuk jam profesor. Unë do të sjell vetëm kuadrin praktik, duke u bazuar në të rejat e fundit në fushën e vlerësimit dhe investimit të pasurive të paluajtshme në Britaninë e Madhe dhe më gjerë. Unë vij nga Britania e Madhe dhe jam rritur në kohën Thatçeriane ku vlerësohet investimi, tregu i lirë dhe iniciativa individuale. Prandaj e thënë shkurt, unë do t’ju mësoj realisht si të investoni dhe si të fitoni para nga investimi”, tha David Allen përpara pjesëmarrësve.

Lektorët në këtë kurs janë figura të njohura të botës akademike dhe të fushës së pasurive të paluajtshme si Përgjegjësi i Departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit në UMT Dr. Nikolla Nika, ish-kryetarja e Shoqatës së Vlerësuesve të Pasurive të Paluajtshme zj. Mirela Behluli, Zëvendësdekania e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës zj. Fatlinda Struga, Drejtori i Vlerësimit dhe Modelimit Financiar në Deloitte z. Anton Lezhja, pedagogia e inxhinierisë së ndërtimit zj. Diana Bardhi, Prof. Asoc. Dr. Sopot Cama apo ish-drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Ndërtimit Dr. Artur Roshi.

Këtë kurs po e ndjekin aktualisht 35 ekonomistë, inxhinierë, arkitektë të cilët në përfundim do të licensohen si ekspertë të vlerësimit dhe investimit në pasuritë e paluajtshme. Sipas ligjit të ri të publikuar në Fletoren Zyrtare pas dekretimit nga Presidenti, rivlerësimi mund të bëhet me vlerën e tregut të pasurisë bazuar në një akt ekspertimi lëshuar nga një ekspert i licensuar. Sipas të dhënave, janë mbi 50 mijë objekte të cilat do të kërkojnë vlerësimin e një eksperti.