Universiteti Metropolitan Tirana do të jetë një ndër mbështetësit kryesorë të edicionit të tetë të ICT Awards Albania, garës mbarëkombëtare në teknologji. Në ceremoninë e hapjes, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana Ing. Arjan Çukaj u shpreh se inovacioni është pjesë e pandashme e universitetit, duke thënë se do të ofrohen dy bursa të plota studimi për punimet më të mira.

“Të gjitha profesionet kalojnë tashmë nga inovacioni dhe teknologjia, ndaj është në misionin e universitetit të mbështesë të rinjtë e talentuar. Ndihem mirë që UMT është pjesë e këtij edicioni dhe bashkëpunimi me ICT Awards do të vazhdojë edhe më tej. Universiteti Metropolitan investon çdo ditë në inovacion, e për këtë qëllim kemi krijuar Metropolitan Incubator, inkubatorin e parë brenda një kampusi universitar që mbështet idetë e të rinjve”, u shpreh z. Arjan Çukaj.

Ceremonisë së hapjes së edicionit të tetë iu bashkuan mbi 150 pjesëmarrës si profesorë, studentë, përfaqësues të biznesit dhe ekosistemit të inovacionit si dhe të ftuar specialë si zëvendës Ministri i Edukimit, Sporteve dhe Rinisë z. Oltion Rrumbullaku, z. Visar Jasiqi anëtar i jurisë së ICT Awards ndër vite, zj. Greta Lekaj nga Raiffeisen Bank, zj. Anisa Berisha nga Ambasada Britanike në Tiranë dhe UK Tech Hub Albania, Prof. Dr. Edmond Hajrizi nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji etj.

Këtë vit garuesit mund të aplikojnë në kategorinë ICT Startupi i Vitit krahas ICT Inovacioni i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe ICT Siguri Kibernetike.

Që nga themelimi ICT Awards ka vlerësuar mbi 1,000 projekte në fusha dhe kategori të ndryshme ndërsa 200 prej tyre janë vlerësuar në detaje si dhe janë shpërblyer me çmime për kategoritë të caktuara.