Në një botë gjithmonë e më shumë të digjitalizuar, konkurrentët në një treg të caktuar mund të veprojnë me shpejtësi për të fituar një audiencë të gjerë, si edhe të kenë avantazh konkurrues ndaj të tjerëve. Teksa në të shkuarën strategjia përqendrohej në diferencimin e produktit apo në lidershipin e kostove, sot në çdo industri triumfojnë ata që arrijnë të kombinojnë diferencimin e produktit me kostot e ulëta. Kur produktet mund të prodhohen dhe të ofrohen me çmime konkurruese dhe në të njëjtën kohë të perceptohen nga konsumatorët si produkte unike në aspektin e karakteristikave dhe vlerës së shtuar, është e qartë se kjo kompani do të ketë pozitat e lidershipit në treg me përfitime të larta.


Shumë mund të thonë se kjo strategji, e quajtur “Blue Ocean Strategy”, është e përshtatshme vetëm për kompanitë e mëdha me mundësi financiare që e përballojnë garën e ashpër. Por çfarë ndodh me Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME) të cilave shpeshherë u duhet të “luftojnë” në të njëjtin treg me kompanitë e mëdha? Në një kohë kur fondet janë të kufizuara, a është e mundur të mbështetesh në avantazhin konkurrues kur një produkt ose shërbim mund të kopjohet me shpejtësi? Dhe në fund të fundit, a është diferencimi thjesht një strategji që ne e lexojmë vetëm në librat e Menaxhimit Strategjik, me rezultate konkrete vetëm në afatshkurtër?

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme i gjejnë përgjigjet e këtyre pyetjeve në mundësitë e pafundme që ofron Marketingu Digjital. Një fushatë në Marketingun Digjital është një prej mënyrave më efektive nga pikëpamja e kostove për të krijuar kontakt me audiencën e synuar jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Në një kohë kur reklamimi me mënyrat tradicionale është i kushtueshëm, mediat digjitale mbeten një alternativë tërheqëse për SME-të në gjithë botën, duke ofruar mundësitë më efektive të marketingut nga pikëpamja e kostove.

Pa dyshim që Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Shqipëri mund të përfitojnë nga kjo mundësi. Më sinjalet pozitive në ekonomi dhe me një trend në rritje të zgjidhjeve inovative në të gjithë sektorët e industrisë, SME-të në Shqipëri nuk kanë arsye për të pritur. Fushatat e Marketingut Digjital e ndryshojnë tablonë e konkurrencës, duke iu lejuar atyre që të vendosin kontakte të drejtpërdrejta si me konkurrentët ashtu edhe me klientët potencialë. Kontaktet online me klientët nuk kërkojnë asnjë angazhim afatgjatë. SME-të mund të paguajnë për klikimet përmes kanaleve të internetit, duke bërë vazhdimisht modifikime dhe përditësime për të siguruar impaktin maksimal.

SME-të arrijnë rezultate maksimale duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me konsumatorët potencialë, që mund të jenë anembanë globit. Me një strategji targetimi dhe efektiviteti në kosto, strategjitë e Marketingut Digjital mund të promovojnë produktet dhe shërbimet në mënyra unike duke krijuar përshtypje pozitive në afatgjatë për markën dhe klientët e tyre të ardhshëm. Fushatat e targetuara të Marketingut Digjital tërheqin vëmendjen e njerëzve, të cilët mund të kthehen në konsumatorë. Gjithashtu, SME-të kanë lirinë e plotë që të bëjnë ndryshime të shpejta në fushatat e tyre të Marketingut Digjital në çdo moment që e shohin të arsyeshme. Dhe e fundit, nëse SME-të nuk përshtaten shpejt me botën digjitale, e sigurt është që konkurrentët e tyre do ta bëjnë një gjë të tillë.

Pra, çfarë duhet të bëjnë SME-të për këtë gjë? Kontraktimi i një kompanie profesionale të Marketingut Digjital mund të jetë një mënyrë e shpejtë për të zgjidhur këtë problem. Gjithsesi, edhe në këto raste administratorët e SME-ve duhet të kenë njohuritë dhe aftësitë e duhura për të kuptuar se si funksionon një fushatë në Marketingun Digjital, në mënyrë që të diskutojnë me kontraktorët në terma të njëjtë profesionalë. Në fund të fundit, bëhet fjalë për produktet apo shërbimet e tyre dhe janë ata që duhet të thonë se cilat janë pikat më të forta, çfarë imazhi duan të ndërtojnë dhe ku duan të arrijnë. Por edhe me kompetencat digjitale që sipërmarrësit e rinj kanë fituar, zhvillimi i strategjisë së tyre të Marketingut Digjital është më se i mundur dhe në shumë raste përshtatet më mirë.

Nuk ka dyshim se studimet në Marketingun Digjital janë gjithmonë e më shumë të kërkuara në të gjithë botën, pasi sipërmarrësit po e kuptojnë vlerën e të qenit eficient në këtë fushë për të konkurruar globalisht. Sfida është edhe për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme shqiptare, të cilat mund të zgjerojnë aktivitetet e tyre, të shkojnë përtej limiteve dhe të ndërtojnë një identitet të fuqishëm të markës së tyre brenda dhe jashtë kufijve të vendit./ Sotiris Karagiannis është konsulent korporatash dhe ekspert i strategjive të marketingut. Aktualisht është lektor në Universitetin e New York në Pragë, ndërsa në Universitetin Metropolitan Tirana ka zhvilluar workshop-in me temë “Sfidat e marketingut në shekullin XXI. Perspektiva e një lideri”.