Të mësuarit online është një mundesi fantastike për të vijuar studimet, edhe në kohë të vështira siç është periudha e pandemisë globale. Studentët e UMT tashmë po ndjekin leksionet përmes platformave edu4schools dhe GoToMeeting.

Por shkëputja nga auditorët dhe mësimi online mbetet diçka e re, një rutinë e paprovuar më parë. Ndaj më poshtë rendisim disa këshilla praktike se si të përgatisim veten për leksionet online, për të qenë aktiv me pyetje-përgjigje dhe për të marrë maksimumin e dijeve.

-Mos bëni supozime të gabuara

Shumë studentë supozojnë se leksionet online janë më të lehta se ato tradicionale. Në të vërtetë, leksionet online janë konceptuar për të qenë po aq rigoroze dhe kërkojnë të njëjtin angazhim si leksionet në auditor. Kështu që duhet t’u kushtoni vëmendjen e duhur, të ndiqni pedagogun gjatë shpjegimit dhe të studioni pas mbarimit të seksionit online.

-Kushtojini rëndësi objektivave të leksionit

Me siguri, në fillim të çdo leksioni pedagogu ju liston edhe disa objektiva të leksionit. Mos i injoroni! Ato ju orientojnë se ku duhet të përqëndroheni gjatë leksionit dhe në fund të tij mund të testoni veten se sa keni përvetësuar nga shpjegimi. Gjithashtu, objektivat ju ndihmojnë të organizoni studimin tuaj të pavarur.

-Lexoni dhe ushtrohuni për gjithçka

Kushtojini rëndësi çdo aspekti të leksionit, jo vetëm gjërave të qarta dhe direkte. Pedagogu juaj e ka projektuar leksionin për t’ju ndihmuar të arrini objektivat në fund të orës, por edhe nëse diçka nuk ju duket e rëndësishme duhet të dini se për çdo gjë nevojitet lexim suplementar. Puna “ekstra” do t’ju ndihmojë jo vetëm në rezultate më të mira në provime, por edhe në një treg pune gjithmonë e më shumë konkurrues.

-Jini mendjehapur ndaj metodave të reja të të nxënit

Çdo student mëson në mënyrë të ndryshme dhe shpesh herë pedagogët përdorin strategji të ndryshme mësimdhënieje. Kështu që tentoni të eksperimentoni metoda të reja mësimi, edhe nëse ju duken tërësisht të ndryshme nga ato që keni përdorur deri më tani.

-Komunikoni përmes tekstit

Pjesa më e madhe e komunikimit në leksionet online bëhet nëpërmjet “fjalës së shkruar”. Mesazhet e diskutimit, ushtrimet dhe email janë metodat më të përdorshme për ruajtjen e komunikimit gjatë periudhës së mësimit online. Kështu që bëhuni gati të shkruani dhe të lexoni shumë!

-Merrni pjesë me gjithë zemër

Mundohuni të merrni pjesë në mënyrë aktive në leksionet online. Një shembull i keq i komenteve që mund të bëhen është “Jam dakord me këtë gjë”. E kundërta, është një koment i mirë, pra ju duhet të arsyetoni mendimet tuaja, qoftë kur kundërshtoni diçka ashtu edhe kur aprovoni diçka. Kjo do t’ju ndihmonte ju dhe gjithë pjesën tjetër për të qenë më produktiv gjatë leksionit.

-Përcaktoni një program të rregullt studimi

Mos prisni fundin e javës për të rishikuar dhe për të lexuar çdo gjë në lidhje me leksionet që keni marrë online. Përcaktoni një program studimi, studioni çdo ditë dhe do të shihni se sa të kënaqur do të jeni me rezultatet e arritura.