Përgjatë tre ditëve në Universitetin Metropolitan Tirana u organizua një workshop me temë “Nga projektimi urban në teorinë e lojës”, me pjesëmarrjen e lektorëve dhe studentëve Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës dhe Fakultetit të Ekonomisë. Ky workshop u zhvillua me iniciativën e pedagogëve të UMT, Dritan Osmani dhe Ernest Shtepani.

Pjesë e këtij workshopi ishte edhe arkitekti gjerman Dr. Gunnar Hartmann, i cili mbajti një leksion të hapur për të gjithë të interesuarit me temë “Urbanizimi, mjedisi dhe shëndeti”. Në këtë prezantim, Dr. Hartmann foli për procesin e urbanizimit dhe ndikimet e tij në shëndet dhe mjedis si pasojë e përdorimit të resurseve energjitike duke filluar nga druri, nafta, gazi natyror deri te centralet atomike dhe energjitë e rinovueshme.

Gjatë prezantimit ai u bazua në të dhënat e fundit empirike nga Gjermania. Në një intervistë, Gunnar Hartmann flet më gjerësisht në lidhje me konceptet e reja të projektimit urban dhe çështjet mjedisore.

Ju morët pjesë në workshopin e organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana, si edhe dhatë një leksion të hapur për të gjithë të interesuarit rreth çështjeve të mjedisit dhe urbanistikës. Cila është lidhja mes urbanizimit, shëndetit dhe mjedisit?

Workshopi i organizuar nga Metropolitan ishte shumë interesant. Tema kryesore lidhej me urbanizimin dhe ekonominë. Prezantimi i profesor Ernest Shtepanit mbi ndryshimin e hapësirave urbane përgjatë 30 viteve në Shqipëri ishte shumë i mprehtë. Leksioni im u fokusua në procesin e urbanizimit, i cili përfshin dy procese të tjera në vetvete: qytetformimi dhe urbanizimin. Teksa qytetformim është një term sasior i cili i referohet ndryshimeve demografike, urbanizimi është një term cilësor që më së miri mund të matet me impaktin në shëndetin e njeriut dhe në mjedis. Workshopi kishte për qëllim të paraqiste një perspektivë të re në fushën e dizenjimit urban për studentët, duke u dhënë mundësinë atyre që të mendojnë për role të tjera potenciale për arkitektët. Veçanërisht për mua ishte interesante lidhja me teorinë e lojës, prezantuar nga profesor Dritan Osmani. Kjo teori funksionon pak a shumë kështu: Në një autobus, nëse një pasagjer vendos të mos e presë biletën, pasojat për shoqërinë janë të vogla, por nëse çdo pasagjer vendos të bëjë të njëjtën gjë, shoqëria hyn në krizë. Pra është e rëndësishme që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për një krizë të tillë të mundshme. Ky parim mund të aplikohet në mënyrë të ngjashme edhe në çështjet e shëndetit dhe të mjedisit.

Cilat janë disa nga problemet më të mëdha të mjedisit që ndikojnë në jetëgjatësi?

Problemi më i madh mjedisor sot është se ne si shoqëri nuk jemi të aftë të balancojmë nevojat tona me aftësinë e mjedisit për t’u rikuperuar. Kjo shpjegohet shumë mirë në librin “Cradle to Cradle” nga William Mc. Donough. Ai shkruan për metabolizmin dhe specifikisht për metabolizmin e mjedisit artificial. Thelbi është se çdo gjë që ne prodhojmë duhet të jetë pjesë e një cikli riciklimi, ripërdorimi, rinovimi, proces i cili do të zvogëlojë gjurmën mjedisore të qyteteve dhe zonave urbane. Është detyrë e arkitektëve dhe urbanistëve të merren me këtë problem.

Ju e keni vizituar Shqipërinë për disa ditë. Ç’mund të thoni për procesin e urbanizimit?

Për të kuptuar këtë proces shumë kompleks, është e rëndësishme të analizojmë të shkuarën dhe projektet e së ardhmes. Në këtë këndvështrim, Shqipëria është një fenomen interesant. Ndryshimet urbane që kanë ndodhur gjatë 30 viteve (të nxitura nga ekonomia e tregut), kryesisht u drejtuan nga proceset informale. Duhet parë më thellë për të kuptuar realisht problemet dhe për të dhënë zgjidhjet. Procesi i dizenjimit dhe projektimit merr një rol drejtues në procesin e madh të transferimit të dijeve. Pikërisht në këtë fushë operon dhe “New Dialogues”.

Shqipëria mbetet ende një vend në zhvillim? Çfarë këshillash do t’u jepnit politikbërësve për planet e zhvillimit me qëllim një mjedis më të pastër?

Këshilla numër 1: Mos e quani vendin tuaj ende një vend në zhvillim. Një libër shumë interesant lidhur me këtë çështje është “Forca e Faktit” nga Hans Rosling, të cilin e rekomandoj fort. Gjithsesi për politikbërësit apo për urbanistët, pyetja mund të shtrohet si mund të jenë pjesë e procesit gjithmonë e më kompleks të projektimit. Një përgjigje fillestare mund të ishte: politikbërësit dhe projektuesit urban duhet të kuptojnë se ana familjare e profesionit të tyre po ndryshon me shpejtësi. Implementimet urbane sot drejtohen nga një larmi planifikimesh të specializuara, secili të udhëhequr nga vlerat e tyre. Rezultati është një matricë e larmishme e të vërtetave (të pretenduara). Politikbërësit dhe projektuesit duhet të pranojnë se planifikimi ka provuar të jetë një mjet i papërshtatshëm për të udhëhequr transformimin urban, kur rritja e një qyteti ka të ngjarë të shpejtojë ose ngadalësojë. Për shkak të kësaj ngushtësie të lejuar për planifikim, procesi i hulumtimit dhe projektimit duhet të zhvendosë vëmendjen e tij drejt aftësive të qenësishme të qytetit për të vetë-organizuar proceset e tij komplekse dhe jolineare.

Në një kontekst global, ka një diskutim rreth ndryshimeve klimatike. Cili është mendimi juaj? Çfarë mund të bëjnë shtetet e fuqishme dhe cili është roli i vendeve të vogla si Shqipëria?

Ndryshimet klimatike janë tashmë mes nesh! Prandaj, na pëlqen ose jo, duhet të përshtatemi me këto ndryshime. Projektuesit urban u referohen ndryshimeve të tilla si “përshtatjet ndaj ndryshimeve klimatike”. Edhe pse nuk është se kemi shumë opsione kur vjen puna te këto ndryshime, si për shembull periudhat e gjata të thatësirave, rritja e numrit të ditëve të nxehta ose ndryshimi i intensitetit të reshjeve. Në librin tim, “Urbanisation, Health and Environment” prezantoj shumë raste studimore në një kontekst global. (https://issuu.com/urbanisationhealthandenvironment/docs/source_book_urban_design_new_dialog ) Një kopje të tij e dhurova edhe për bibliotekën e Universitetit Metropolitan Tirana. Për t’i bërë ballë ndryshimeve klimatike sot, e gjejmë veten në dilemën e teorisë së lojës.

*Dr. Gunnar Hartmann është arkitekt i pavarur, i cili drejton institutin për dizajn integrues urban me bazë në Berlin. Ai ka studiuar Arte të Bukura në “Universitetin e Wisconsin” dhe Arkitekturë në Universitetin “Rice”, si edhe ka kryer studimet në nivel doktorature për Shkenca Kulturore pranë Departamentit të Historisë dhe Teori Kulture pranë Universitetit Humboldt në Berlin. Që nga viti 2001 ai ka dhënë mësim në Shtetet e Bashkuara, Zvicër, Gjermani dhe Maqedoni.